Historiku
Qendra e Kosovës për Siguri Publike Edukim dhe Zhvillim
Qendra e Kosovës për Siguri Publike, Edukim dhe Zhvillim (QKSPEZH) u themelua në janar të vitit 2006. Është pasardhëse e Shkollës së Shërbimit Policor të Kosovës të themeluar në shtator të vitit 1999.
Me 26 mars të vitit 2008, me hyrjen në fuqi të urdhëresës Administrative të UNMIK-ut nr 2008/3, Qendra e Kosovës për Siguri Publike, Edukim dhe Zhvillim funksionon si agjencion ekzekutiv i Ministrisë së Punëve të Brendshme. QKSPEZH është përgjegjëse për sigurimin e standardeve profesionale të bazuara në kompetencat që janë dhënë për edukim dhe trajnim të pjesëtarëve të agjencioneve të sigurisë publike.
QKSPEZH si agjencion ekzekutiv i Ministrisë së Punëve të Brendshme ofron trajnime themelore dhe të specializuara për Policinë e Kosovës, Shërbimin Korrektues të Kosovës, Doganat e Kosovës, Agjencionin e Menaxhimit të Emergjencave si dhe për agjencionet tjera të sigurisë publike.
Edukimi i pjesëtarëve të agjencive të sigurisë publike (Policia e Kosovës, Doganat e Kosovës, Agjencioni i Menaxhimit të Emergjencave, Shërbimi Korrektues i Kosovës) janë ndër komponentët kyçe të zhvillimit dhe të krijimit të një sistemi modern dhe të qëndrueshëm të sigurisë në Kosovë. Këto agjenci janë të përgatitura në mënyrë profesionale dhe sipas standardeve ndërkombëtarisht të akceptuara, që tu bëjnë ballë sfidave dhe kërcënimeve.
Qendra është përgjegjëse për trajnimin dhe mbështetjen teknike të të gjitha agjencioneve të sigurisë publike, ndaj dhe ngjashmëritë e shënuara në metodologjinë e punës për edukimin e personelit janë bërë pas identifikimit të nevojës për unifikim në zhvillimin profesional të institucioneve të sigurisë publike.
Si rezultat i resurseve dhe mjedisit të saj, Qendra është bërë vendqëndrim primar i trajnimit për një fushë të gjerë të sigurisë publike dhe një degë e zbatimit të trajnimit.
Brenda vitit në QKSPEZH trajnohen nga 12.000 deri në 13.000 zyrtarë të sigurisë publike në trajnime bazë, të avancuara dhe të specializuara.
QKSPEZH posedon 28 klasë mësimi dhe ka hapësirë banuese për 711 studentë; Konviktet janë të ndara për meshkuj dhe femra.
Në objektin kryesor dhe ato përcjellëse gjenden zyret mbështetëse administrative, qendra mësimore Steve Bennett, dy salla për gjimnastikë, një dhomë për ushtrime trupore, armëtorja, tri depo, shërbimi mjekësor, mensa, lavanderia, berberi.
Vizioni Vizioni i QKSPEZH-it është të përgatisë dhe të zhvillojë me tej punonjës të mbajtjes së rendit dhe sigurisë, të aftë për të ofruar shërbim profesional e cilësor dhe të fitojë besimin e plotë të publikut.
Misioni- Misioni i QKSPEZH-it është që të ofrojë mbështetje teknike, administrative dhe edukative për të gjitha agjensionet siç janë; Policia e Kosovës (PK), Dogana e Kosovës (DK), Agjencioni i Menaxhimit të Emergjencave (DME) si dhe Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK).
QKSPEZH funksionon në mënyrë të pavarur nga burimet e energjisë dhe të ujit.
Qendra e Kosovës për Siguri Publike Edukim dhe Zhvillim gjendet në Vushtrri, 25 km në veriperëndim të Prishtinës.
